KBI dhe "Hasene" shpërndanë 1.000 pako me ushqim (Foto)
Këshilli i Bashkësisë Islame (KBI) në bashkëpunim me shoqatën turke "Hasene" kanë bërë shpërndarjen e 1.000 pakove me ndihma ushqimore për familjet me nevojë në komunat Bujanoc dhe Preshevë.Për dallim me vitet e kaluara kur organizata turke “Hasene” përmes Këshillit të Bashkësisë Islame implementoi projektin e ndarjes së mishit të Kurbanit, këtë vit ka vendosur që të sjell pako ushqimore në këto komuna të Luginës, raporton Titulli.com.
KBI në shoqëri të përfaqësuesve të shoqatës “Hasene” bëri shpërndarjen e pakove në fshatrat Mal Tërnoc, Breznicë, Lluçan, Turi, Nesalcë si dhe në lagjen Kolloni në Tërnoc.
Veç këtyre fshatrave përfitues ishin edhe familjet rome në Bujanoc, ndërsa gjatë ditës së nesërme shpërndarja do të vazhdojë edhe në vendbanimet tjera të komunës së Bujanocit.
Aksioni humanitarë i organizatave në fjalë ka vazhduar edhe në Preshevë e rrethin. Kryetari i KBI-së në Bujanoc, Sulejman Fejzullahu, në pritjen që i ka bërë Ismet Sert, përfaqësuesit të shoqatës “Hasene” me seli në Francë, përveç falënderimit për ndihmat e ofruara, ka biseduar edhe për thellimin e bashkëpunimin të mëtutjeshëm.
Këshilli i Bashkësisë Islame falënderon të gjithë kontribuuesit në realizimin e këtij aksioni humanitarë të cilët në forma të ndryshme ndihmuan shpërndarjen e pakove ushqimore./Titulli.com/
Foto: KBI